Të gjitha vendimet e sotme të Qeverisë së Kosovës

Vendimet e sotme te qeverise

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Albin Kurti, ka mbajtur mbledhjen e 16-të të rregullt, në të cilën ka miratuar projektligje, vendime dhe dokumente të tjera të fushës së përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Vendimi i parë i miratuar në mbledhjen e sotme është Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2020 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, me të cilin synohet që të hyjë në fuqi marrëveshja financiare për IPA 2020 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për medie, sipas së cilës, “Qëllimi i kësaj marrëveshje ndërkombëtare është miratimi i programit vjetor IPA 2020, me anë të të cilit do të zbatohet asistenca e dhënë nga BE-ja për Kosovën në kuadër të IPA-s në formë të projekteve të përshkruara në kuadër të marrëveshjes në fjalë”.

Hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje dhe zbatimi i saj janë në përputhshmëri të plotë me prioritetet e përcaktuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës, gjegjësisht prioritetet e përcaktuara në Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës 2021-2025.

Miratimin e kabinetit e ka marrë edhe Projektligji për Ratifikimin e Amandamentimit nr. 1. të Marrëveshjes Kornizë së Kredisë të datës 14 gusht 2020, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për financimin e projektit “Reagimi Emergjent ndaj COVID-19”.

Amandamentimi i Marrëveshjes ka për qëllim ofrimin e mbështetjes për Qeverinë e Kosovës në përpjekjet e saj për t’u ofruar shërbime mjekësore të prekurve nga virusi COVID-19, në mënyrë që të forcohet ofrimi i këtyre shërbimeve dhe të ofrohet kujdesi i nevojshëm pavarësisht rritjes së kërkesës. Mbështetja kryesore do të jetë financimi për vaksinat COVID-19 për rreth 50% të popullsisë.

Po ashtu, qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për Gjykatën Komerciale. Qëllimi i këtij Projektligji është themelimi, organizimi dhe funksionimi i Gjykatës Komerciale në Republikën e Kosovës.

Leave a Reply